Arrestohen dy persona për akuzën trafikim me njerëz
Prishtinë, 27 maj - Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, pas hetimeve të zhvilluara dhe bashkëpunimit me qytetarë, ka realizuar një operacion policor, nën dyshimin e bazuar se persona të dyshuar po kryenin veprën penale trafikim me njerëz.
Pas realizimit të operacionit policor, Policia e Kosovës me njësitet e saja relevante ka arrestuar:
E. A. lindur me 1983 f/sh/Shqipërisë,
A. K. lindur me 1968 m/sh/Kosovar.
E dyshuara e arrestuar dyshohet se ka bërë rekrutimin e një viktime të mitur, të cilën e ka detyruar të kërkojë lëmoshë në rajonin e Prishtinës, duke kryer kështu lypësi të detyruar, përmes së cilës dyshohet se nga e njëjta ka përfituar materialisht.
Kurse i dyshuari i arrestuar ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale, duke bërë transportimin e të dyshuarës dhe të viktimës, për të vazhduar veprimtarinë e tyre, ku me këtë rast dyshohet se ka kryer veprën penale trafikim me njerëz.
Gjatë këtij operacioni policor janë shoqëruar në polici edhe 9 persona tjerë, shtetas të Shqipërisë, të cilët pas konsultimit me prokurorin janë dorëzuar në Drejtorinë për Migrim dhe të Huaj për procedura të mëtutjeshme.
E dyshuara E. A. me vendim të prokurorit është ndaluar në mbajtje prej 48 orëve, ndërsa i dyshuari A. K. pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër të gjitha veprave penale dhe njëkohësisht falënderon qytetarët dhe mediat për bashkëpunim të ndërsjellët në këtë drejtim.