Arrestohen dy persona lidhur me rastin e vrasjes në Albi Mall
Prishtinë, 9 prill - Si rezultat i punës dhe hetimeve intensive të njësiteve relevante policore, duke përfshirë hetuesit policor të DRP-Prishtinë, është arritur që të identifikohen dhe njëherit të ndalohen dy persona të dyshuar, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në rastin e vrasjes së rojës së sigurimit në qendrën komerciale Albi Mall në Prishtinë.
Fillimisht me datë 07.04.2015, është arritur që të arrestohet i dyshuari i parë i përfshirë në këtë, të cilit me vendim të prokurorit kompetent i është caktuar masa e ndalimit, për të vazhduar me hetime të mëtutjeshme policore.
Ndërsa me datë 08.04.2015 rreth orës 23:45 minuta, është identifikuar dhe intervistuar edhe personi i dytë i dyshuar, i cili në prezencën e avokatit mbrojtës ka pranuar se është përfshirë në rastin e vrasjes në fjalë, dhe me vendim të prokurorit të Departamentit të Krimeve të Renda, i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes.
Njësitet policore në vazhdimësi të punës hetimore, kanë realizuar disa bastisje, ku në cilësi të provës materiale kanë arritur të konfiskojnë një armë e të fshehur në tokë, e cila dyshohet të jetë përdorur në rast si dhe disa dëshmi tjera materiale që ndërlidhen me rastin.
Policia e Kosovës me njësitet e saja policore, po vazhdon me hetime intensive drejt zbardhjes në tersi të këtij rasti, ku është në kërkim edhe të një personi tjetër të dyshuar.