Arrestohen 8 persona për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit
Prishtinë, 24 gusht - Policia e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, në kuadër të Policisë së Kosovës, ka zbatuar Urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prizren për urdhër-kontroll në trembëdhjetë lokacione, lidhur me dyshimet e bazuara për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” dhe gjatë operacionit janë arrestuar tetë persona të dyshuar.
Personat e dyshuar me iniciale janë: B. M. i lindur më 1977; F. K. i lindur më 1998; B. M. i lindur më 1976; F. H. i lindur më 1976; L. A. i lindur më 1976; A. K. i lindur më 1996; A. B. i lindur më 1983 dhe F. S. i lindur më 1971.
Gjatë kontrollit në tetë lokacione janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi relevante: Pesë shtëpiza të kompjuterit; Njëmbëdhjetë telefona mobilë; Katërqind e tetëdhjetë e pesë euro dhe Tiketa të lojërave të fatit.
Në lidhje me këtë operacion janë intervistuar personat e dyshuar, ndërsa për ecurinë e zbatimit të urdhër-kontrollit në vazhdimësi është informuar prokurori i shtetit dhe me vendim të prokurorit shtatë (7) nga personat e arrestuar janë ndaluar për 48 orë.
Në zbatim të urdhëresës kanë qenë të angazhuar zyrtarë policorë të njesive kompetente, të asistuar nga Drejtoria Rajonale e Prizrenit si dhe Njësia për Krime Kibernetike e Policisë së Kosovës.
Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren do të vazhdojë me veprime hetimore në kompletim dhe referim të rastit në Prokurori.