Arrestohen 6 persona dhe identifikohet 1 viktimë të trafikimit

Prishtinë, 22 dhjetor - Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, e mbështetur edhe nga njësi tjera policore, ka realizuar operacionin policor të koduar PENTA, ku ka bërë kontrollimin e disa lokacioneve në Prishtinë dhe Fushë Kosovë.
Me këtë rast është bërë arrestimi i gjashtë (6) personave të dyshuar, nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kishin kryer veprat penale trafikim me njerëz dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës.
Personat e arrestuar në këtë rast janë: Xh. G. lindur me 1976; Sh. H. lindur me 1990; A. H. lindur me 1981; M. G. lindur me 1985; A. G. lindur me 1972 dhe L. L. lindur me 1982
Operacioni policor është realizuar në bashkëpunim edhe me autoritetet policore shqiptare, me çrast edhe është bërë identifikimi i një viktime të trafikimit, shtetase e Shqipërisë.
Gjatë këtij operacioni si prova materiale janë sekuestruar: një armë (revole) 8mm e gjetur në banesën e të dyshuarit të parë, një DIVIAR i kamerave të sigurimit të restorantit dhe fatura, dokumentacione të ndryshme, libra dhe fletore të shënimeve.
Të gjitha veprimet policore janë kryer nën autorizim të prokurorit, kurse të arrestuarve me vendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore u është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orëve, për të vazhduar me procedura të mëtejme.