Arrestohen 5 persona për kontrabandim të migrantëve dhe shmangie nga tatimi
Prishtinë, 11 prill - Policia e Kosovës ka bërë te ditur se Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Prokurorinë e shtetit, pas hetimeve intensive të kryera, lidhur me veprimtarinë kriminale të të dyshuarve, që në vazhdimësi merreshin me kryerjen e veprave penale të ‘kontrabandimit të migrantëve’, ‘falsifikimin e dokumenteve’ dhe ‘shmangie nga tatimi’ ka realizuar një operacion policor, që ka rezultuar me arrestimin e pesë personave të dyshuar.
Duke u bazuar në urdhëresën e gjykatës kompetente, me datën 11 prill 2018 në rajonin e Prishtinës (në pesë lokacione), dhe Gjakovës (në një lokacion), është kryer kontrolli i shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, pronë e të dyshuarve, me qëllim të mbledhjes së provave për veprimtarinë kriminale të të dyshuarve.
Personat e arrestuar në këtë rast janë: Sh. Sh. lindur me 1961; I. S. lindur me 1974; N. B. lindur me 1966; Xh. N. lindur me 1962 dhe A. T. lindur me 1987.
Ndërsa janë sekuestruar si prova materiale: 2 armë të gjata, 5 armë të shkurta kalibri i ndryshëm, 175 fishekë kalibër të ndryshëm, 4 vula të firmave të ndryshme, 2 pasaporta dhe dokumente të tjera që vlejnë për procedurë të mëtejme gjyqësore.
Personat e dyshuar, në bazë të urdhrit të prokurorit dërgohen në mbajtje policore për vazhdim të procedurës së mëtejme gjyqësore.