Arrestohen 5 persona, konfiskohen 3 kg substancë narkotike
Prishtinë, 18 mars - Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në një operacion të gjerë ka arrestuar pesë të dyshuar dhe konfiskoi 3 kilogramë substancë narkotike të dyshuar të llojit heroinë.
"Në një operacion të gjerë policor që u zhvillua në magjistralen Prishtinë-Ferizaj u arrestuan pesë të dyshuar për posedim, shpërndarje të paautorizuar të substancave narkotike dhe armëmbajtje pa leje", ka theksuar policia.
Sot rreth orës 17:00 në magjistralen Ferizaj-Prishtinë, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë ka ndërmarrë një operacion policor me çrast ka arrestuar pesë persona të dyshuar nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale blerje, posedim dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotropike si dhe armëmbajtje pa leje.
Këtij operacioni policor i parapriu një punë hetimore dhe operative nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN-së) e Policisë së Kosovës dhe një urdhër i Prokurorisë Publike Themelore në Ferizaj, operacion ky i cili rezultoi me konfiskimin e 3 kilogramë substancë e dyshuar e llojit heroinë dhe arrestimin e pesë të dyshuarve: I. A. 1984, M. R. 1978 , S. O. 1983, F. A.1987 dhe G. O.1976.
"I tërë operacioni policor për arrestimin e të dyshuarve dhe konfiskimin e substancave narkotike, duke përfshirë edhe masat e fshehta hetimore, ka qenë i autorizuar nga Prokuroria Publike Themelore në Prishtinë", thuhet me tutje në njoftim.
Me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake është bërë kontrollimi i shtëpive të të dyshuarve me çrast janë gjetur dhe janë konfiskuar: një pushkë automatike AK-47, gjashtë fishekë të pushkës së gjuetisë, 34 fishkë të pistoletës të kalibrit 7.62 dhe një pushkë gjuetie me leje të skaduar.
Lidhur me këtë rast është njoftuar prokurori me urdhër të të cilit të gjithë të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme hetimore.