Arrestohen 4 persona nën dyshimin për kontrabandim me armë
Prishtinë, 11 prill - Sot, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, pas një hetimi disamujor ka bërë arrestimin e katër personave të dyshuar nën dyshimin e bazuar se kanë kryer veprën penale kontrabandim me armë.
Hetimet policore kishin të bënin me veprimtari kriminale të një grupi i cili merrej me kontrabandim të armëve.
Operacioni policor i koduar Bunkeri është realizuar në gjashtë lokacione të ndryshme në rajonin e Gjilanit, ka rezultuar me arrestimin e katër të dyshuarve dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të armëve dhe municionit të cilat janë marrë në cilësi të provave materiale.
Personat e arrestuar dyshohet se në vazhdimësi kanë kryer vepra penale të kontrabandimit me armë të ndryshme, duke përfituar mjete financiare në mënyrë të kundërligjshme.
Të arrestuarit janë: G. M. lindur më 1987 - serb; E. Z. lindur më 1948 - shqiptar; B. B. lindur më 1980 - shqiptar dhe S. K. lindur më 1981 - shqiptar.
Gjatë këtij operacioni policor janë sekuestruar si prova materiale: 2 armë automatike AK 47; 1 pushkë M 48; 2 pushkë gjuetie; 1 pushkë ajrore; 1 revole kal. 7.65 CZ; 234 fishekë kalibrash të ndryshëm dhe 2 telefona celularë
Personat e dyshuar tanimë të arrestuar janë dërguar në mbajtje policore për vazhdim të procedurës së mëtejme gjyqësore.