Arrestohen 15 persona për shkretërim të pyjeve\"
Prishtinë, 7 tetor - Policia e Kosovës, respektivisht njësitë relevante policore për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, në bashkëpunim me njësitë rajonale policore në Ferizaj, të mbështetur edhe nga inspektorët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, duke filluar nga ora 09:00, me urdhër të gjykatës kompetente kanë realizuar një operacion policor të kontrollit dhe bastisjes në një lokacion në Brezovicë, komuna e Shtërpcës.
Bastisja është kryer nën dyshimin e bazuar për kryerje të veprave penale që kanë të bëjnë me keqpërdorim të autorizimeve ekonomike si dhe shkretërim të pyjeve, të përcaktuara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Operacioni policor ka rezultuar me arrestimin e pesëmbëdhjetë (15) personave të dyshuar të nacionalitetit serb, të cilët janë në proces të intervistimit, ndërsa të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në konsultim dhe vendim të prokurorit kompetent.
Ndërsa, në cilësi të provave materiale janë konfiskuar një numër i konsiderueshëm i dokumentacioneve të ndryshme, vula dhe çekanë të cilët ndërlidhen me veprën penale në fjalë.