Arrestohen 12 të dyshuar për mashtrim me furnizimin me naftë
Prishtinë, 4 nëntor - Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, ka arrestuar 12 persona të dyshuar se kanë kryer vepra penale mashtrim dhe shpërdorim i pozitës zyrtare.
Hetimet lidhur me këtë rast kanë filluar me autorizimin e Prokurorisë së Qarkut në Prizren nën dyshimin se kompania që furnizonte me naftë këtë institucion dhe institucionet e tjera si Qendrën e Paraburgimit-Prizren dhe Qendrën e Paraburgimit në Pejë, ka mashtruar këto institucione në sasinë e derivateve të livruara, bërë të ditur policia.
Sipas policisë, gjatë hetimeve të realizuara nga zyrtarët policorë të krimeve ekonomike është kuptuar se sasia e derivateve të naftës në rezervuar nuk korrespondon me sasinë e naftës së faturuar nga kompania furnizuese.
Ndër 12 personat e arrestuar të cilëve u është caktuar masa e paraburgimit 48 orë, janë pronari i kompanisë furnizuese me derivate, zyrtarë të Prokurorisë së Qarkut-Prizren, zyrtarë të Qendrës së Paraburgimit - Prizren dhe zyrtarë të Qendrës së Paraburgimit - Pejë.
Edhe Ministria e Drejtësisë mbështet aksionin e Policisë së Kosovës në hetimet për furnizim me derivate të naftës në Qendrat e Paraburgimit në Prizren dhe Pejë
Pas dyshimeve për parregullsi lidhur me furnizimin me derivate të naftës, për Qendrat e Paraburgimit në Prizren dhe Pejë, Shërbimi Korrektues i Kosovës, ka ftuar Policinë e Kosovës të hetoj këtë rast, të cilët pas hetimeve të preliminare sot, ka arrestuar disa persona të dyshuar si të implikuar në këtë rast.
Me këtë rast, Ministria e Drejtësisë do të ndërmarrë të gjitha masat disiplinore ndaj të arrestuarve konform autorizimeve ligjore dhe për gjithë të ndaluarit të cilët janë të dyshuar si të implikuar në rastin në fjalë.
Ministria e Drejtësisë fton organet e drejtësisë që të hetojnë dhe ti zbardhin në tërësi dyshimet që janë paraqitur lidhur me furnizimin me derivate të naftës në Qendrat e Paraburgimit në Prizren dhe Pejë.