Arrestimi i ish ushtarëve të UÇK së, legjitimim i krimeve të Serbisë!
Prishtinë, 3 maj - Kohë më parë në Zvicër janë arrestuar dy ish ushtarë të UÇK së me kërkesën e Serbisë drejtuar Interpolit.
Autoritet zvicerane janë para vendimit , gjithashtu me kërkesë të Serbisë ti ekstradojë të arrestuarit në Serbi gjë që është e kundërligjshme dhe jonormale aq më parë që lufta nuk ishte bërë në territorin e Serbisë kurse gjykatat serbe ,
si një shtet tjetër dhe i disponuar armiqësisht ndaj Kosovës nuk kanë jurisdikcion mbi veprat eventuale të kryera në Kosovë. Këtë jurisdikcion e ka pasur vetëm Tribunali i Hagës kurse gjykatat në Serbi nuk kanë mandat ndërkombëtar kështu që autoritetet zvicerane , me ekstradimin eventual të shtetasve të Kosovës në Serbi i marrin pasojat e mundshme për fatin e të arrestuarve sepse , në rrethanat aktuale as që mund të flitet për një gjykim të drejtë dhe të pandikuar politikisht nëse e kemi parasysh qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës të cilën nuk e pranon si shtet kurse UÇK në e trajton si organizatë terroriste.
Autoritetet zvicerane , nëse vendosin që të arrestuarit ti ekstradojnë , duhet tua dorëzojnë autoriteteve kosovare. Me arrestimin e ish ushtarëve, drejtuesve të UÇK së dhe politikanëve që kanë qenë pjesë e UÇK së , me kërkesën e Serbisë , shtetet që po e bëjnë arrestimin po i amnistojnë krimet e Serbisë në Kosovë dhe po i zbatojnë standardet e dyfishta , po kërkojnë arrestimin e shqiptarëve të dyshuar për krime lufte kurse po këmbëngulin në lirimin e serbëve të dyshuar për krime lufte siç ishte rasti i gjeneralit Bojoviq i cili kishte përgjegjësi të lartë komanduese , politike dhe ushtarake dhe të cilin autoritetet kosovare , pas ndërhyrjes së Serbisë dhe ndërkombëtarëve u detyruan ta lirojnë.
Ndërkombëtarët është dashur ta detyrojnë Serbinë që ata policë , paramilitarë dhe ushtarë serbë që kanë kryer krime lufte në Kosovë , tu dorëzohen autoriteteve kosovare e jo siç janë duke vepruar deri më tani . Pa ballafaqim ligjor me ata që kanë kryer krime lufte , pavarësisht përkatësisë etnike , nuk mund të ketë stabilizim të situatës dhe përafrim të popujve e lëre më pajtim i cili , mbështetur në rrethana aktuale del të jetë mision i pamundur. KMDLNj ka kërkuar dhe kërkon drejtësi për viktimat të cilët nuk i ndanë në baza etnike dhe përgjegjësi për planifikuesit , udhëheqësit dhe zbatuesit e krimeve gjithashtu duke mos i ndarë në baza etnike!