Arrestim në Mitrovicë në lidhje me terrorizëm
Prishtinë, 17 qershor - Njësia Anti-Terrorizëm e Policisë së Kosovës, nën mbikëqyrjen e prokurorit të EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) e ka arrestuar një mashkull shqiptar të Kosovës në rajonin e Mitrovicës pas kërkesës së bërë për ekstradim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës autoriteteve kompetente në Kosovë.
Gjithashtu, në lidhje me këtë kërkesë, Policia e Kosovës e ka bërë bastisjen e një shtëpie.
Prokurori publik i Shteteve të Bashkuara për Qarkun Lindor të Karolinës së Veriut e ka akuzuar të pandehurin për dy vepra: sigurimi i përkrahjes ose resurseve materiale për terroristë, përkrahje për terrorizëm dhe planifikim të vrasjes, rrëmbimit, gjymtimit, ose lëndimit të personave apo dëmtimit të pronës në ndonjë shtet të huaj.
Urdhër-arrestimi dhe bastisja e shtëpisë janë autorizuar nga gjykatësi i procedurës paraprake i EULEX-it në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë.