23 Dhjetor 2024

Arid Uka pranon fajësinë për vrasjen e ushtarëve amerikanë

Frankfurt, 4 mars - Personi i dyshuar për incidentin e djeshëm në Aeroportin e Frankfurtit, ku u vranë dy ushtarakë amerikanë, pranoi veprën penale. 21-vjeçari nga Kosova, Arid Uka, bëri sot një deklaratë përpara se të paraqitej përpara një gjykate gjermane. Autoritetet gjermane e përshkruan atë si musliman radikal ndërkohë që hetimet vazhdojnë.

Personi i dyshuar për vrasjen e dy amerikanëve dhe plagosjen e dy të tjerëve në Aeroportin e Frankfurtit, pranoi se ishte autor i krimit.

Arid Uka e pranoi veprën penale përpara se të dilte përpara gjykatës federale në Karlsruhe.

Ai është përshkruar nga familja e tij si musliman i përkushtuar.

Ministri i brendshëm i Landit Hesse, Boris Rajn, tha se fjala është për një musliman radikal.

"Informacioni që kemi mbledhur nga Interneti tregon se kemi të bëjmë me një musliman radikal dhe këtë e tregon për shembull profili i tij në një prej mediave sociale, ku ai shfaqet si islamist. Duket se gjatë disa javëve të fundit ai ka filluar të përdorë një emër të ashtuquajtur luftëtari islamik. Më duket se emri i tij i ri është Abu Reyyan."

Prokurorët federalë gjermanë filluan hetimet rreth incidentit sot në mëngjes dhe po bashkëpunojnë me policinë e Frankfurtit, atë federale si dhe me hetues amerikanë.

Ndërkohë, policë të armatosur me xhaketa antiplumb patrullonin sot terminalet në Frankfurt, një skenë kjo e njohur për njerëzit kohët e fundit.

"Ne kemi tani një numër të shtuar patrullash policie si me uniformë ashtu edhe pa uniformë, të cilët patrullojnë me xhaketa antiplumb dhe me armë automatike,” tha  Armin Til, zëdhënës i policisë në Aeroportin e Frankfurtit.

Zëdhënësi i policisë së Frankfurtit, Jyrgen Linker u tha gazetarëve se një ushtarak i forcës ajrore amerikane, i cili u plagos në kokë, vazhdon të jetë në gjendje të rëndë.

Ushtaraku tjetër i plagosur nuk është në rrezik për jetën, tha zëdhënësi.

Të dy ata po mjekohen në Klinikën Universitare të Frankfurtit.

Ushtarakët amerikanë ishin të stacionuar në Britani dhe po shkonin në Bazën Ajrore të Ramshtajnit  prej nga do të dislokoheshin për të mbështetur një operacion diku tjetër, thanë zyrtarët e ushtrisë amerikane pa dhënë hollësi të tjera.

Shtetet e Bashkuara kanë 50 mijë trupa të stacionuara në Gjermani.

Ato kanë disa objekte të mëdha ushtarake në rajonin e Frankfurtit, duke përfshirë Bazën Ajrore të Ramshtajnit, e cila përdoret shpesh si nyje logjistike për operacionet në Afganistan dhe Irak.

21-vjeçari nga Kosova banonte në një bllok apartamentesh në lagjen Zosenhajm të Frankfurtit, njoftoi sot media gjermane. Sipas një gazete, apartamenti ku personi i dyshuar thuhet se jetonte me të atin, u bastis nga policia gjermane disa orë pas incidentit të djeshëm. 


Mbi Arid Ukën, autorin e vrasjes së dy ushtarëve amerikanë në aeroportin e Frankfurtit, rëndojnë aktualisht pesë akuza, thanë autoritetet gjermane.

Ai përballet me dy akuza për vrasje dhe tre akuza për tentativë vrasje, ndonëse hetimet vazhdojnë. Me vendim të gjykatës Uka gjendet në paraburgim deri në përfundim të hetimeve.

Autoritetet gjermane pohojnë se ai ishte besimtar mysliman, por është radikalizuar vetëm së fundi.

Forcat amerikane të sigurisë deklaruan se Arid Uka nuk ishte pjesë e ndonjë liste të dyshuarish për lidhje me terrorizmin. Në Uashington janë bërë publike emrat e ushtarëve amerikanë të vrarë. Ata janë 25 vjeçari Nikolas Alden nga Karolina e Jugut dhe Zakaria Kadbek nga Virxhinia.

Zëdhënësi i Pentagonit, koloneli Dejv Lapan tha se ende nuk është e qartë nëse edhe persona të tjerë janë të përfshirë në këtë sulm.

"Një nga pikat kyçe të hetimit është të gjejmë nëse ka pasur dhe të tjerë të përfshirë përveç sulmuesit", theksoi Lapan.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)