Aprovohet struktura organizative e Policisë së Kosovës
Prishtinë, 18 mars - Ministri i Punëve të Brendshme, z. Bajram Rexhepi, në përputhje me autorizimet e dhëna sipas Ligjit për Policinë e Kosovës 03/L-035, Neni 5 dhe Neni 31, Paragrafi 3, si dhe duke u bazuar në propozimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, ka aprovuar Strukturën Organizative të Policisë së Kosovës.
Struktura Organizative e Policisë së Kosovës është në përputhje të plotë me Legjislacionin në fuqi dhe dokumentet strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Ristrukturimi i Policisë së Kosovës siguron ngritje të efikasitetit dhe efektivitetit në punë, me qëllim të implementimit të misionit të saj.
Ministria e Punëve të Brendshme duke udhëhequr me parimin e llogaridhënies dhe mos ndërhyrjes në çështje operacionale do të vazhdojë me hartimin e politikave zhvillimore për Policinë e Kosovës.
Po ashtu, MPB gjithnjë do të synojë ngritjen e nivelit të sigurisë publike, parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar dhe kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufijve shtetërorë, si bazament për forcimin e rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës.