Apeli ka zgjidhur 5 mijë e 506 lëndë
Prishtinë, 15 korrik - Gjykata e Apelit përmes një komunikate për medie ka njoftuar se është duke vazhduar të përballet me një numër jashtëzakonisht të madh të lëndëve në raport me numrin e gjyqtarëve dhe stafit mbështetës.
Bazuar në raportet statistikore, gjatë këtij gjashtëmujori të parë të vitit 2016, kjo gjykatë ka pranuar 6 mijë e 341 lëndë, të cilave, kur i shtohen edhe 9 mijë e 597 lëndët e trashëguara nga vitet paraprake, mbërrijnë shifrën prej 15 mijë e 938 lëndë.
Pavarësisht kësaj, falë punës dhe angazhimit të gjyqtarëve dhe punonjësve te administratës gjatë kësaj periudhe janë zgjidhur 5 mijë e 506 lëndë, ndërsa të pazgjidhura, aktualisht, kanë mbetur edhe 10 mijë e 432 lëndë.
Pjesa dërmuese e tyre, afro 9 mijë lëndë, janë te natyrës civile, ndërsa me to janë duke u marrë vetëm 14 gjyqtarë.
Në Gjykatën e Apelit, aktualisht, punojnë 34 gjyqtarë, të përkrahur nga 71 punëtorë administrativ.