Angazhohen 5.100 policë për të siguruar mbarëvajtjen e zgjedhjeve
Prishtinë, 1 dhjetor - Në kuadër të përgatitjes për menaxhimin e situatës së sigurisë gjatë procesit zgjedhor, Policia e Kosovës ka angazhuar 5.100 zyrtarë policorë për të siguruar mbarëvajtjen e procesit që po mbahet sot në 25 komuna të vendit.
Policia e Kosovës do të bashkëpunojë dhe bashkërendojë aktivitetet operacionale edhe me EULEX-in, si reagues i dytë dhe KFOR-in si reagues i tretë në rast nevoje, për të parandaluar incidentet e mundshme, të cilat mund të kenë ndikim në procesin e votimit, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
Drejtori i Përgjithshëm i PK-së Maxhuni ka kërkuar nga të gjithë zyrtarët policorë që gjatë këtij procesi të implementojnë në tërësi planin policor lidhur me këto zgjedhje dhe të ofrojnë siguri për të gjithë qytetarët në të gjithë territorin e vendit.