Anëtarësimi i Kosovës në Interpol ndihmon luften kundër terrorizmit
Prishtinë, 19 shtator - Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, priti në takim një grup ekspertësh nga selia e OKB -së në New York, i cili këto ditë po e viziton Kosovën.
Në këtë takim morën pjesë edhe zyrtarë të EULEX-it, UNDP-se, UN Women dhe autoritete tjera në fushën e sundimit të ligjit dhe sektorit te sigurisë.
Në këtë takim u diskutua për zhvillimet dhe arritjet e deritashme në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit, sidomos për sektorin e sigurisë, përfshirë edhe policinë në mënyrë që të identifikohen nevojat për zhvillim të mëtejshëm në këto fusha.
Po ashtu u diskutua edhe për aspektin gjinor, për përfshirjen dhe përkrahjen për gratë në mekanizmat e sigurisë.
Zëvendësministri Hoxha, i njoftoi të pranishmit për progresin që ka bërë Kosova në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit, gjithmonë duke vënë në pah rëndësinë e bashkëpunimit dhe ndihmës reciproke në mes të vendit tonë dhe vendeve tjera të rajonit dhe më gjerë.
Zëvendësministri vuri në dukje rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Interpol, përveç tjerash edhe në kontekst të implementimit të suksesshëm të strategjive nacionale për luftimin e krimit të organizuar dhe terrorizmit, për çka edhe u pajtuan të gjithë se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë do të ishte në të mirë të sigurisë së gjithë rajonit.
Ekspertët nga selia e OKB -së në New York, si dhe përfaqësuesit e EULEX-it, UNDP-së, UN Women në Kosovë dhe autoritete tjera në fushën e sundimit të ligjit dhe sektorit të sigurisë, vlerësuan punën e MPB-së dhe të mekanizmave tjera të sigurisë, në fushat përkatëse dhe falënderuan zëvendësministrin Hoxha për prezantimin dhe njëkohësisht ofruan gatishmërinë e tyre për bashkëpunim dhe ndihmë për zhvillim të mëtejshëm në këto fusha.