24 Dhjetor 2024

Analistët: EULEX-i dështoi

Prishtinë, 29 korrik - Analistët politikë u kanë bërë thirrje institucioneve të vendit që të veprojnë fuqishëm e ta dëshmojnë fuqinë shtetërore për ta mbrojtur kufirin verior nga elementet çrregulluese dhe kriminale.

Duke e vlerësuar gjendjen e përgjithshme në vend nga veprimi i Qeverisë për t’i marrë në kontroll pikat 1 dhe 31, njohësit e rrethanave politike e kanë kritikuar ashpër rolin e Misionit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX).

“Mendoj se institucionet e vendit do të duhet të veprojnë fuqishëm dhe ta dëshmojnë fuqinë shtetërore dhe institucionale për t’i vendosur rendin dhe ligjin, për t’i mbrojtur qytetarët, për t’i mbrojtur vlerat institucionale dhe në këtë rast për ta mbrojtur kufirin nga elementet çrregulluese kriminale, të cilat dëshirojnë ta destabilizojnë atë pjesë të vendit”, ka thënë Baraliu.

Duke e vlerësuar lart unitetin e spektrit politik të Kosovës, Baraliu ka deklaruar se as Qeveria dhe as policia nuk duhet të sillen me tolerancë ndaj elementeve kriminale të cilat dëshirojnë ta destabilizojnë vendin. “Nuk është e pranueshme në asnjë mënyrë veprimi i Qeverisë apo i kujtdo qoftë që me trëndafila në dorë apo me tolerancë të sillet ndaj elementeve kriminale, të cilat haptazi dëshirojnë ta destabilizojnë vendin me ndihmën e autoriteteve qeveritare të Serbisë”, ka deklaruar ai.

Baraliu e ka kritikuar EULEX-in në raport me vendimin e Qeverisë për t’i kthyer në kontroll pikat kufitare veriore. “EULEX-i dhe BE-ja drejtpërdrejt kanë pasur rol jashtëzakonisht të dëmshëm, fillimisht pasiv, pastaj me pasoja, duke deklaruar haptazi se veprimi i Qeverisë ka qenë i gabuar, i pakohshëm dhe i papadobishëm dhe duke bërë thirrje që të kthehen prapa”, është shprehur ai. Sipas tij, rikthimi në gjendjen e mëparshme nënkupton inkurajim të drejtpërdrejtë të elementeve kriminale për të vepruar në atë pjesë.

I ashpër ndaj politikës së EULEX-it është treguar edhe analisti tjetër politik Agim Zogaj.

Qëndrimin e këtij misioni ndaj vendimit të Qeverisë, Zogaj e ka vlerësuar të turpshëm. Sipas tij, një qëndrim i tillë nuk i bën nder politikës së jashtme të BE-së, e cila propagandon paqe dhe siguri. “Mendoj se heshtja dhe mospërkrahja e EULEX-it ndaj veprimit të Qeverisë për ta mbrojtur sovranitetin është e turpshme për politikën e jashtme të BE-së, sidomos për EULEX-in”, ka thënë Zogaj.

Ndërkaq, sa i përket vendimit të Qeverisë, ai ka deklaruar se Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk është dorëzuar para presioneve të Serbisë në veri të Kosovës. “Vendimi i Qeverisë për mua nuk ka qenë i befasishëm, por i pritur për arsyeje se politikat e saj në rrafshin e sigurisë nacionale me prioritet kanë qenë të përqendruara në shtrirjen e juridiksionit edhe në veri”, ka deklaruar Zogaj.

 

(Epoka e Re)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)