Ambasadorja Jacobson pengohet fizikisht nga Vetëvendosje
Prishtinë, 27 qershor - Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka njoftuar se ambasadorja Tracey Ann Jacobson dhe personeli i ambasadës janë penguar fizikisht nga protestuesit e Vetëvendosjes për të hyrë dhe marrë pjesë në seancën e rregullt parlamentare, në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.
Vëzhguesit tjerë dhe deputetë janë sulmuar në të njëjtën mënyrë, gjersa tentonin të hynin në ndërtesë, thuhet në njoftim.
Ambasada ka dënuar përdorimin e taktikave të dhunshme, duke thënë se liria e shprehjes nuk do të thotë kufizim i lirisë së lëvizjes për të tjerët.
Duke u mbështetur vazhdimisht në taktika të dhunshme, Vetëvendosje dëmton reputacionin e Kosovës si një demokraci në zhvillim, thuhet në njoftim.
Vetëvendosje ka protestuar kundër ratifikimit në Kuvendin e Kosovës të marrëveshjes së arritur më 19 prill, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.