Ambasadori Szunyog i ofron ndihmën e nevojshme Prokurorisë së Shtetit
Prishtinë, 1 mars - Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka zhvilluar takim pune me Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
Kryeprokurori Lumezi e ka njoftuar Shefin e BE-së me të arriturat dhe sfidat e Prokurorit të Shtetit, si dhe për angazhimin institucional në funksion të fuqizimit të llogaridhënies, transparencës dhe integritetit të sistemit prokurorial.
Temë qendrore e diskutimit të përbashkët në këtë takim ishte edhe fuqizimi i sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës, konkretisht lufta ndaj korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, terrorizimit, krimeve të luftës, zbatimi i ligjit për kompetencat e zgjeruara të konfiskimit të pasurisë, si dhe thëllimi i bashkëpunimit në mes Prokurorit të Shtetit dhe Policisë në zbatimin e detyrave dhe kompetencave ligjore.
Në këtë drejtim është theksuar nevoja për progres të mëtutjeshëm, me ç’rast Shefi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka shprehur gatishmërinë që të ofroj ndihmën e nevojshme për institucionin e Prokurorit të Shtetit.
Në fund të takimit, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, e ka falënderuar Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, për përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme dhënë Prokurorit të Shtetit, si dhe kanë shprehur gatishmërinë e ndërsjellët që ky bashkëpunim të vazhdoj edhe në të ardhmen.