Ambasada Amerikane mbështetë Prokurorinë Themelore në Gjakovë
Gjakovë, 21 korrik – U.D. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi, ka pritur në takim zëvendësen e ndihmës-sekretarit amerikan të Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, ambasadoren Lisa A. Johnson, e cila po qëndron në Kosovë me qëllim të angazhimit konkret të SHBA-ve në fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë si dhe zbatimit të standardeve ndërkombëtare nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Në këtë takim morën pjesë edhe prokurori Sadri Alija, koordinator për rastet e dhunës në familje, përfaqësues nga Policia në Gjakovë, Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, si dhe, përfaqësues të Shtëpisë së Sigurtë në Gjakovë.
Në këtë takim ndër tjera është diskutuar rreth projekteve të financuar nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë, ku përveç tjerash ambasadorja Johnson, është njoftuar për aktivitetet konkrete të prokurorisë që ndërmerren në vazhdimësi për parandalimin e dhunës në familje.
U.D. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi, ka shprehur falënderime në lidhje me projektin e realizuar në Prokurorinë Themelore Gjakovë të mbështetur nga Ambasada Amerikane në Kosovë, dhomës për intervistimin e të miturve dhe në rastet e dhunës në familje, duke cekur së me këtë dhomë janë krijuar kushte më të mira për intervistimin e të miturve dhe rasteve të dhunës në familje, po ashtu, u diskutua edhe për bashkëpunimin dhe koordinimin e prokurorisë dhe institucionet të tjera, me qëllim të arritjes së objektivave për një rezultat sa më të mirë.