Aktakuzë për posedim dhe shitje të narkotikëve
Prizren, 3 dhjetor - Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge“ nga neni 267 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, i pandehuri A.Sh., me datë 04.11.2021, rreth orës 19:30 në Prizren, pa autorizim posedon me qëllim të shitjes apo shpërndarjes substanca apo preparate, të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, substancë psikotrope apo substanca analoge në atë mënyrë që, pas zbatimit të Urdhër-Kontrollit nga Policia e Kosovës në shtëpinë e tij, në Prizren, arrijnë të gjejnë dëshmitë si në vijim:
- Shtatëmbëdhjetë (17) qese të vogla plastike të cilat dyshohet se përmbajnë substancë narkotike të llojit kokainë, gjithsej me peshë prej 10.8 gram;
- Një (1) peshore e vogël digjitale me mbishkrim “Constant 14192-616C’’;
- Para të gatshme 2x5 euro; 1x10 euro dhe një fishek i pistoletës, të cilat dëshmi janë sekuestruar nga ana e policisë.
Në këtë mënyrë, i pandehuri i lartëcekur ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge“ nga neni 267 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit. ​