Aktakuzë ndaj 2 ish - ushtarakëve serbë për vrasjen e 27 shqiptarëve
Beograd, 7 nëntor - Prokuroria për krime lufte në Serbi ka ngritur aktpadi kundër dy ish-ushtarakëve, Pavle Gavrilovic nga Leskovci dhe Rajka Kozlina nga Beogradi për vrasjen e 27 personave në Ternje të Suharekës, Kosovë, më 25 mars 1999.
Agjencia e lajmeve \"Beta\" shkruan se në aktakuzë theksohet se Gavrilovic e Kozlina, si ish- pjesëtarë të Brigadës së 549 të Ushtrisë së Serbisë, bashkë me të tjerë të paidentifikuar nga kanë ekzekutuar 27 civilë, banorë të Tërnjes, meshkuj pleq, gra e fëmijë, ndër të cilët edhe një katërvjeçar.
\"Gavrilovic, i cili ka urdhëruar sulmin kundër civilëve në fshat, më 25 mars ka tubuar vartësit e tij, ndër të cilët edhe Rajka Kozlina, dhe dha urdhër që të vriten civilët me fjalët: Të mos mbetet asnjë gjallë\",-thuhet në kumtesë.
Sipas këtij urdhri, kjo do të thoshte spastrim fshati dhe vrasje banorësh, saktëson Prokuroria. Eprorët, ndër të cilët edhe togeri Kozlina, i ndau ushtarët në tri grupe lufte që hynë në fshatin Ternje dhe gjatë aksionit vranë të paktën 27 banorë.
Gavrilovic dhe Kozlina akuzohen për krime lufte.