Aktakuzë kundër tre personave në Komunën e Novobërdës
Gjilan, 22 korrik - Prokuroria Themelore ne Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve S.V, A.A dhe N.D, për shkak të veprës penale “ Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar” nga neni 414 te Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I pandehuri S.V., në cilësi të zyrtarit të Komunës së Novobërdës, ka keqpërdorur pozitën zyrtare duke mos u paraqitur në vendin e tij të punës dhe ka pranuar pagën mujore prej 427€, nga buxheti i Komunës së Novobërdës, nga muaji prill 2019 deri në dhjetor te vitit 2020, ashtu që në mënyrë të kundërligjshme ka përvetësuar për vete shumën prej 14.116.94€ dhe ka dëmtuar buxhetin komunal ne shumën e lartcekur.
Ndërsa të pandehurit A.A dhe N.D, në cilësinë e drejtorëve për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Novobërdës, kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, për ti shkaktuar përfitim pasuror të kundërligjshëm zyrtarit komunal – të pandehurit SV, dhe përkundër që i njëjti nuk është lajmëruar ne punë, nuk e kanë larguar nga lista e pagave dhe me këtë kanë kryer veprën penale “ Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar” nga neni 414 te Kodit Penal të Republikës së Kosovës.