Aktakuzë, kundër të pandehurit, S. I.
Prishtinë 25 shkurt - Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, kundër të pandehurit, S. I., për veprën penale: Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës, nga neni 3 par.4 i Ligjit për Ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit.
Sipas aktakuzës, i pandehuri S. I., nga tetori i vitit 2013 deri në muajin nëntor 2015, në vazhdimësi në rrjetin social Facebook, përmes profilit të tij personal, ka bërë komente dhe publikime të hapura, propagandë, nxitje të urrejtjes ndaj koalicionit ndërkombëtar që luftojnë kundër organizatës terroriste ISIS dhe publikisht ka përkrahur ideologjinë ekstreme dhe veprimet e kësaj organizate terroriste. Këtë e ka bërë me qëllim që persona ose grupe të ndryshme tiu bashkohen formacioneve të armatosura të ISIS-it, si dhe ka krijuar kontakte me personat që janë drejtpërdrejt pjesëmarrës në luftën e Sirisë dhe në Irak, duke ftuar publikisht ISIS-in që ta çlirojë edhe Kosovën.
Andaj me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën e lartcekur penale.
Gjithashtu, sipas kësaj aktakuze, gjatë kontrollimit të shtëpisë së tij në fsh. Rezhancë, të pandehurit S. I. Policia e Republikës së Kosovës, i ka gjetur duke e mbajtur pa leje valide një pushkë të gjatë karabinë MPERY3GE44, një optik snajperi dhe një fishek.
Andaj i pandehuri S. I. ngarkohet se ka kryer edhe veprën penale: Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 374 par.1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprat e kryera penale dhe ta dënojë sipas ligjit.