Aktakuzë kundër ish kontabilistit të OJQ Hendikos
Prishtinë, 27 prill - Prokuroria e Qarkut në Prishtinë ka ngritur sot aktakuzë kundër të pandehurit Shaqir Jakupi, ish kontabilist në OJQ Hendikos, për veprën penale përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare nga neni 340 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Kosovës.
Sipas aktakuzës i pandehuri Jakupi, në periudhën kohore 6 janar 2011 6 janar 2012 ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme shumën e përgjithshme prej 78.452,30 euro.
Këtë vepër penale i pandehuri e ka kryer duke i tërhequr në vazhdimësi paratë nga xhirollogaritë bankare të kësaj OJQ-je me anë të çeqeve të falsifikuara dhe tërheqjeve elektronike.
Prokuroria e Qarkut në Prishtinë ka kërkuar nga gjykata që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprën e kryer penale, si dhe ta obligoj që ta kompensoj dëmin e shkaktuar.