AKI verifikon policët
Prishtinë, 25 mars - Pjesëtarët e Policisë së Republikës së Kosovë kanë nisur të plotësojnë pyetësorin e sigurisë prej 20 faqesh të përgatitur nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës.
Në këtë mënyrë do të bëhet verifikimi i biografisë për secilin polic që bartë uniformën blu. Me ligjet në Kosovë, AKI-ja është autoritet verifikues për institucionin e parë të rendit në vend.
Major Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, ka deklaruar për gazetën Tribuna, se, ky është një proces ligjor dhe të gjitha aplikacionet e adresuara në Policinë e Kosovës nga AKI-ja, janë duke u realizuar konform procedurave dhe afateve kohore që kërkohen.
Kelani nuk ka përmendur datën e përfundimit të këtij procesi, por thotë se ai po shkon rrugës së paraparë.
Sipas tij, ligji ka përcaktuar që autoritet verifikues për zyrtarin policor të jetë Agjencia e Kosovës e Inteligjencës.