AKF me pajisje dhe programe për ekzaminim të Audiove dhe Zërit
Prishtinë, 9 mars - Në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë u mbajt ceremonia e pranim-dorëzimit të programit dhe pajisjeve për Divizionin (Laboratorin) për ekzaminim të Audiove dhe Zërit, donacion nga Qeveria Federale e Gjermanisë, mbështetur nga misioni i OSBE-së në Kosovë.
Në këtë ceremoni morën pjesë, ministri i Punëve të Brendshme, z. Skender Hyseni, zëvendësministri, z. Valdet Hoxha, drejtori i Departamentit për Siguri Publike në OSBE, z. Aake Roghe dhe Kryeshefi i AKF-së, z. Blerim Olluri.
Me këtë rast ministri i Punëve të Brendshme, z. Skender Hyseni, theksoi se ky është një akt i përsosjes dhe aftësimit të mëtejmë të Agjencisë së Kosovë për Forenzikë, për kryerjen e detyrave dhe obligimeve në fushë veprimtarinë e vet.
Ky avancim po bëhet i mundur falë donacioneve dhe zemërgjerësisë së partnerëve të Kosovës në botë, sidomos në Evropë dhe partneritetit që kjo agjenci ka ndërtuar me organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Ne edhe sot zotohemi që këtë partneritet do ta vazhdojmë në funksion të përmirësimit dhe përsosjes së mëtejme të ruajtjes së rendit dhe ligjit, tha ministri Hyseni.
Ndërsa kryeshefi i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, z. Blerim Olluri, theksoi se prova shkencore po luan rol tepër të rëndësishëm, jo vetëm në zbardhjen e veprave penale, në identifikim e kryerësve të tyre, por edhe në procedurë penale dhe procedurë civile si tërësi. Ai tha se gjyqësori, prokuroria dhe zbatuesit e ligjit po mbështetën fuqishëm në ekspertizë, kjo për faktin se shpeshherë në procedurë po kërkohen ekzaminime shkencore komplekse.
Gjatë dekadës së fundit kërkesa për audio ekzaminime forenzike është rritur në masë të madhe. Audio incizimet sigurojnë prova materiale përmes së cilës hetuesit mund të dëgjojnë se çfarë ka ndodhur. Ekspertët e forenzikes të audios dhe zërit mund të ndihmojnë duke përdorur teknika për të rritur cilësinë e zërit, theksoi Olluri.
Në këtë ceremoni foli edhe drejtori i Departamentit për Siguri Publike në OSBE, z. Aake Roghe. Më pas për të pranishmit u ekspozuara donacioni dhuruar AKF-së.