AGK reagon për sulmin ndaj kryetarit Zekirja Shabani
Prishtinë, 8 dhjetor - Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur shqetësim për sulmin fizik ndaj kryetarit të këtij asociacioni, Zekirja Shabani, nga pronari i gazetës Tribuna, Sejdi Demiri.
Sulmi ndaj redaktorit të ekonomisë në të përditshmen Tribuna në vendin e tij të punës, sipas AGK-së, ka ndodhur pasi redaktori Shabani ka refuzuar të nënshkruajë vendimin për largim nga puna që i është ofruar nga drejtuesit e gazetës, në kundërshtim me kontratën e tij valide dhe me Ligjin e Punës.
Sulmi dhe fyerjet ndaj gazetarit Shabani, sipas AGK-së, vijnë disa ditë pasi Shabani njoftoi se do ta padisë Tribunën për shkelje të kontratës dhe vonesë të dhënies së pagave.
Rasti i sulmit ndaj kryetarit të AGK-së, sipas komunikatës, tashmë është hapur në polici si kanosje.
AGK kërkon nga organet e rendit që ta ndriçojnë sa më parë këtë rast dhe që sulmuesi të vihet para drejtësisë, përderisa paralajmëron se do të angazhojë avokatin e AGK-së, bazuar në marrëveshjen e arritur ditë më parë mes AGK-së dhe Zyrën e Avokatisë Partners, thuhet mes të tjerash në reagimin e lëshuar nga AGK.
AGK përmes komunikatës, konsideron se në një vend ku sulmohet kryetari i zgjedhur i komunitetit të gazetarëve, njëherësh redaktori i një gazete, për shkak të ngritjes së zërit ndaj padrejtësive që i bëhen në vendin e punës, dëshmon për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhen gazetarët dhe për shkeljen e të drejtave të tyre njerëzore e profesionale në Kosovë.