Agjenti i AKI-së dekonspirohet nga daja i tij
Prishtinë, 23 shkurt - Punëtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Kastriot Islami, është prerë në besë nga daja i tij, Muhamet Meta. E ka denoncuar në polici për plaçkitje të bankës që dyshohen se e kanë kryer bashkë.
Meta, 56 vjeç, është arrestuar të enjten nga Policia e Kosovës, pasi vetë është dorëzuar në stacionin e Policisë në Dardani të Prishtinës.
Pas këtij denoncimi, Policia ka arrestuar në Prishtinë nipin e tij, Kastriot Islami, 29 vjeç, dhe Arben Pirrakun, 30 vjeç.
Policia është vënë në kërkim edhe të shtetasit të Shqipërisë, Marin Lika, të cilët dyshohen se nën kërcënimin e armës kanë arritur të grabisin 13 mijë euro të mërkurën, në NLB Bankë, që gjendet në rrugën Prishtinë - Fushë-Kosovë.
Organet e hetuesisë dyshojnë se kjo grabitje është përgatitur moti dhe është studiuar mirë, pasi që Arben Pirraku ka një zyrë pune afër bankës. Policia dyshon se ky është grup i organizuar edhe për faktin se dy të dyshuarit janë nip e dajë.