03 Maj 2024

Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave shënoi 3 vjetorin e themelimit

Prishtinë, 30 qershor - Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale shpalosi të arriturat e saj në përvjetorin e tretë të themelimit të saj.

Ngjarja e sotme u karakterizua me nënshkrimin e një memorandumi mirëkuptimi në mes të Agjencisë dhe Kolegjit Universitar për Biznes dhe Teknologji - UBT, me ç’rast u dhanë edhe mirënjohje për disa prej zyrtarëve mbrojtës të të dhënave personale nga institucione të ndryshme publike dhe private në Kosovë, të cilët u treguan të suksesshëm në punën e tyre.

Ndër të arriturat e shumta të Agjencisë, vlenë të përmendet se Agjencia ka hartuar udhëzues pune në fushën e vëzhgimit me kamera, inspektimeve në polici, prokurori, gjyqësi, shëndetësi. Veç kësaj, ajo  ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi, Slloveninë, Kroacinë, Bullgarinë, etj.

Në kuadër të mbikëqyrjes së vëzhgimit me kamera, ajo ka pajisur mbi 4,000 institucione me shenja paralajmëruese për  vëzhgim me kamera, ka ndaluar përdorimin e të dhënave biometrike në shumë raste, ka shkatërruar mbi 1,000,000 dokumente të operatorëve të telefonisë mobile, ka kryer më shumë se 170 inspektime me institucionet publike dhe kompani private, ka dhënë mendime për 96 akte ligjore, si dhe ka informuar qytetarët e Kosovës rreth mbrojtjes së të dhënave të personale.

Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si institucion i pavarur ka përgjegjësinë ligjore për mbikëqyrjen e zbatimit të rregullave për mbrojtjen e të dhënave personale. 

Këshillëdhënia organeve publike dhe private, marrja e vendimeve për ankesat e paraqitura, inspektimet dhe kontrollet, informimi i publikut, si dhe promovimi e përkrahja e të drejtave themelore për mbrojtjen e të dhënave personale janë pjesë e fushëveprimtarisë kryesore në kuadër të misionit të Agjencisë.

Në këtë mënyrë Agjencia dëshiron të sigurohet që të drejtat e çdo individi për privatësi të mbrohen e respektohen gjatë përpunimit të të dhënave personale.

Bashkëpunimi ndërkombëtar lidhur me çështjen e mbrojtjes së të dhënave personale është pjesë e rëndësishme e misionit të përhershëm të Agjencisë, duke ditur prioritetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për integrime evropiane.

Agjencia, që nga janari 2014 është e përkrahur nga Bashkimi Evropian me një buxhet të rreth €1.4 milion. Projekti i BE-së (IPA) ndihmon Agjencinë në zhvillimin e kapaciteteve të veta, si dhe reformimin dhe përafrimin e ligjeve të Kosovës me ato të BE-së në fushën e mbrojtjes së dhënave personale, si dhe informimin më efektiv të qytetarëve të Kosovës për të drejtat e tyre.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)