Agjencia e Kosovës për Forenzikë prezantoi raportin vjetor
Prishtinë, 1 mars - Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, z. Blerim Olluri, prezantoi punën dhe aktivitetet e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë për vitin 2015.
Në këtë ceremoni mori pjesë, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Nehat Mustafa dhe përfaqësues të organizatave vendore dhe ndërkombëtare.
Gjatë vitit 2015 në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë janë kryer 4752 ekspertiza, me 42.963 dëshmi, është bërë akreditimi i procedurave shkencore për ekspertizë sipas standardeve ndërkombëtare SK EN ISO/IEC 17025, janë akredituar 5 laboratorë me 30 metoda shkencore.
Gjatë vitit të kaluar janë zhvilluar dhe validuar metoda shkencore për ekspertizën e eksplozivëve: analiza për identifikimin e eksplozivëve organik (tnt, rdx, hmx, tetryl, ng dhe petn) përmes metodës analitike kromatografia në shtresë të hollë (k sh h), Analiza e nitroglicerinës (ng) dhe nitrocelulozës (nc) në barutin (lëndën djegëse shtytëse) me metodën e kromatografise në shtresë të hollë (kshh), analiza e mbetjeve nga baruti pas qitjes me armë zjarri me difenilaminë. Janë zhvilluar trajnime dhe specializime të personelit brenda dhe jashtë vendit.
Me përkrahjen e ICITAP-it, OSBE-së, UNDP-së, TIKA etj, janë përfituar pajisje të rëndësishme për ekspertizë forenzike.