Agjencia e Forenzikës nisë metoden e kromatografike për analizimin e eksplozivëve
Prishtinë, 8 maj - Agjencia e Kosovës për Forenzikë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka prezantuar: Metodat Kromatografike për ekspertimin e eksploziveve.
Me këtë rast u prezantua identifikimi i eksplozivëve organikë para dhe pas shpërthimit, marrja e mostrave dhe metoda e analizimit në Laboratorin për Analiza të Zjarrëvënieve dhe Eksplozivëve.
Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, tha se dita e sotme shënon një moment të rëndësishëm për zhvillimin e forenzikës ku për herë të parë kjo Agjenci fillon të aplikojë metodën kromatografike për analizimin e eksplozivëve.
Fillimi i ekspertimeve rezulton në përgjegjësi shtesë për AKF-në. Kjo nënkupton se kjo Agjenci ka arritur shkallë të lakmueshme të përsosjes, tha ministri Hyseni.
Ndërsa, kryeshefi i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Blerim Olluri, tha se metoda analitike e zhvilluar dhe e validuar në Divizionin për Analiza të Eksplozivëve dhe Zjarrëvenjeve, Kromatografia në shtresë të hollë, është metodë analitike me te cilën krahasohet mostra e panjohur me mostrën-standardin e njohur të eksploziveve.
Kjo metodë kimiko-analitike është metodë e sakte, e shpejtë, e thjeshtë me zbatim te gjerë në shkencën e forenzikës, për identifikimin dhe ndarjen eksplozivëve organike të veçante dhe të kombinuar.\"
\"Gjatë procesit të validimit ekspertët forenzikë kanë arritur të caktojnë kufirin e detektimit për përbërësit e aplikuar në nivele deri nanogram, tha z. Olluri.
Ky lloj ekspertimi deri me tani nuk është kryer në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë. Zhvillimi i metodës analitike, fillimi i kryerjes së ekspertimeve nga ana e Agjencisë e Kosovës për Forenzikë do të ndikojnë që rastet e dërguara më parë në shtetet e ndryshme si: Bullgaria, Turqia, Kroacia dhe Shqipëria të mos dërgohen me jashtë shtetit.
Kjo e arritur do të ketë ndikim të drejtpërdrejt rritjen e integritetit të provave materiale dhe uljen e kostos buxhetore.