Agani e Demolli vizituan fshatin Rufc
Prishtinë, 9 shkurt - Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, së bashku me ministrin e FSK-së, Haki Demollin, Komandantin e FSK-së, Kadri Kastratin dhe Kryetarin e Komunës së Lipjanit, Imri Ahmetin, vizituan të hënën fshatin Rufc, konkretisht vendin ku dyshohet se është mbytur 12-vjeçari Arlind Gashi.
Agani së bashku me Demollin dhe Ahmetin, u njoftuan nga pjesëtarët e Kërkim Shpëtimit në kuadër të FSK-së, me punën që është duke u bërë për gjetjen e trupit të djaloshit që dyshohet se u rrëmbye nga ujrat ditë të parë.
Ministri Agani, por edhe ministri Demolli, u zotuan se institucionet e vendit do të angazhohen dhe do të marrin masat e duhura që raste të tilla të mos ndodhin në të ardhmen, duke i premtuar familjes Gashi ndihmë institucionale.
Me këtë rast të dy ministrat u takuan edhe me prindin e Arlindit, të cilin e ngushëlluan dhe njëkohësisht u luten që Arlindi të gjendet sa më parë.
Ministri Agani, gjatë ditës zhvilloi një takim edhe me Kryetarin e Komunës së Lipjanit, Imri Ahmetin, me të cilin biseduan për mundësinë e thellimit të shtratit të Lumit Sitnica, që vërshime të tilla të mos ndodhin në të ardhmen.
Të dytë u dakorduan që të hartohet një projekt, i cili me rishikim të buxhetit të mundësohet edhe realizimi i tij, ngase dëmet nga vërshimet e fundit konsiderohen të jenë të mëdha.