Adelina Reçica dyshohet për kërkim të parave në emër të Asanajt
Prishtinë, 10 tetor - Adelina Reçica është intervistuar nga policia në cilësinë e të dyshuarës për kërkim të parave për hotelin Grand.
Hetimet për kërkim të parave nga Behgjet Pacolli dhe Remzi Ejupi kanë nisur me të venë e ish-shefit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj.
Ajo është intervistuar të hënën nga policia me urdhër të prokurorëve Paskal Persoons dhe Blerim Isufaj, shkruan Koha Ditore.
Burime nga policia i kanë thënë Kohës Ditore se Reçica është pyetur në lidhje me përfshirjen e saj në grupin e Astrit Haraçisë si ndërmjetësues të Dino Asanajt për të ndikuar që hoteli Grand të mos u merrej aksionarëve.
Ajo është intervistuar në Drejtorinë e Krimeve të Rënda nga hetuesit. Ajo është pyetur duke u bazuar në përshkrimin që i ka bërë Remzi Ejupi pranisë së saj në një takim ku është diskutuar për miliona euro, ka thënë burimi i gazetës.
Ajo ka qenë shumë e frikësuar. Vazhdimisht është dridhur dhe nuk ka mundur të flasë lirshëm për shkak të frikës. Adelina Reçica ka dhënë sinjale se mund të zbulojë fakte që do të mund të çonin në zbardhjen e ngjarjes.
Intervistimin e saj e ka konfirmuar edhe EULEX-i.
Mund të konfirmojmë se është marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarës, ka thënë zëdhënësja Bardha Azari.
E veja e Asanajt tashmë është identifikuar si njëra prej atyre që janë quajtur sekserë të Dino Asanajt.
Gjatë hetimeve policia ka nxjerrë qindra biseda telefonike dhe sms të Reçicës. Në mesin e tyre ka shumë edhe biseda telefonike në mes të saj dhe Astrit Haraçisë.