AAPSK bënë hapat e parë të bashkëpunimit me EUROPOL-in
Prishtinë, 8 nëntor - Një delegacion i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose Konfiskuar (AAPSK), i kryesuar nga Kryeshefi Rrahim Rama, kanë zhvilluar një vizitë zyrtare në Holandë dhe Belgjike.
Gjatë vizitës në Hagë të Holandës delegacioni nga AAPSK-ja ka pasur takime me zyrtarët e EUROPOL-it, të ngarkuar në luftimin e krimit të organizuar në vendet e BE-së dhe në vendet që synojnë anëtarësim në BE, përfshirë këtu edhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kryeshefi Rama është takuar me znj. Jill Thomas, Përgjegjëse në Zyrën e EUROPOL-it për Pasurinë Kriminale nga Departamenti i Inteligjencës Kundër Terrorizmit dhe Financave, me çrast është njoftuar për së afërmi me punën e kësaj zyre, përfshirë këtu bazën ligjore dhe operacionet e EUROPOL-it të ndërlidhura me aktivitetet ilegale dhe konfiskimin e pasurisë të rrjeteve kriminale nëpër Europë.
Znj. Thomas po ashtu ka njoftuar për përpjekjet më të reja që po bëhen brenda BE-së për të forcuar Zyrën për rikthimin e aseteve në nivel evropian për konfiskimin e pasurisë së krijuar në mënyrë ilegale, përkatësisht përmes aktiviteteve kriminale.
Në anën tjetër, Kryeshefi Rama ka njoftuar zyrtaren nga EUROPOL-i për punën e deritashme të AAPSK-së, përfshirë faktin se kjo agjenci është duke menaxhuar rreth 4.5 milion euro të pasurisë së konfiskuar.
Gjatë qëndrimit në Holandë, kreu i AAPSK-së, ka pasur takim pune edhe me Jan Knobbe, udhëheqës i Zyrës holandeze për Menaxhim të Aseteve të Konfiskuara dhe Sekuestruara.
Ndërsa gjatë vizitës në Belgjikë, Kryeshefi Rama është takuar me Thierry Freyne, Drejtor i Zyrës Qendrore dhe Zëvendësprokurorë i Përgjithshëm i Gjykatës së Apelit të këtij vendi.
Lidhur me vizitën e zhvilluar në Holandë dhe Belgjikë, Kryeshefi Rama tha: vizita ishte e frytshme dhe kam potencuar nevojën dhe kërkesën që ndihma dhe bashkëpunimi me zyrën belge e holandeze dhe EUROPOL-in, të vazhdojë dhe të forcohet edhe më tej në të ardhmen.
Vizitat e delegacionit të AAPSK-së, në Belgjikë dhe Holandë është bërë në kuadër të projektit të financuar nga BE për fuqizimin e AAPSK-së.