AAK: Të krijohet Agjencia për Luftimin e Krimit dhe Korrupsionit
Prishtinë, 9 shtator - Departamenti i Sundimit të Ligjit në kuadër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (DSL i AAK-së) me shqetësim ka vërejtur se Raporti i Progresit për Kosovën, në vitin 2014, nënvizon ngurrimin e agjencive të zbatimit të ligjit për të filluar hetimet financiare, si dhe mungesën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve.
Po ashtu, është shqetësues nënvizimi i mungesës së ekspertizës tek institucionet e drejtësisë për të luftuar krimin e organizuar, si trafikimin me narkotikë dhe trafikimin e qenie njerëzore.
Institucionet e Kosovës, gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës, duhet të investojnë fuqishëm në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe buxhetore për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, si dhe të reformojnë sistemin e prokurimit publik.
DSL i AAK-së është i bindur se reformat institucionale dhe themelimi i një mekanizmi të specializuar për të luftuar dukuritë e këqija është shpresa për të ndërtuar mundësi të barabarta për qytetarët e Kosovës.
DSL i AAK-së vlerëson se është i domosdoshëm themelimi i Agjencisë për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (ALKOK). Ky mekanizëm i qëndrueshëm dhe i përhershëm, i specializuar për të luftuar këto dukuri, duhet të jetë brenda sistemit të drejtësisë penale të Republikës së Kosovës, por të ketë homologun e vet në Departamentin e Hetimeve në Policinë e Kosovës, që do të duhej të ketë emër të ngjashëm Policia ALKOK, si dhe në sistemin gjyqësor Departamenti Gjyqësor për Rastet Penale nën Juridiksionin e ALKOK.
Këto reforma do të adresonin çështjet e nënvizuara në Raportin e Progresit të këtij viti, sikurse do krijonin qëndrueshmëri në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.