AAK: Sjellja autoritare e Qeverisë për Demarkacionin, e rrezikshme
Prishtinë, 20 shkurt - Krerët e shtetit po bëjnë eksperimente me Demarkacionin. Ka një kohë shumë të gjatë që ata e kanë marrë mesazhin se ky version i Demarkacionit me Malin e Zi, ka probleme serioze dhe është në dëm të Kosovës, por pavarësisht kësaj, ata nuk po lënë gurë pa lëvizur që ta kalojnë pikërisht këtë version.
Ata, ka kohë që kanë abuzuar edhe me qëndrimin ndërkombëtar për këtë temë, i cili ka qenë i qartë, që Demarkacioni duhet të marrë zgjidhje, dhe këtë qëndrim e kanë interpretuar sikur Komuniteti Ndërkombëtar, po e mbronë versionin e kësaj Qeverie për demarkacionin.
Qeveria ka dështuar ta kalojë këtë marrëveshje tash e një vit e gjysmë, dhe kjo nuk është bërë vetëm për shkak të Opozitës, por edhe të mosbindjes së një grupi, jo të vogël, të deputetëve shumicës parlamentare.
Tani përpjekjet që ta riciklohet një marrëveshje, e cila defacto ka dështuar, më tepër janë sjellje të një pushteti autoritar.