AAK nuk i bashkëngjitet protestës se 1 shtatorit për demarkacionin
Prishtinë, 20 gusht - Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vendosur që të mos i bashkëngjitet Lëvizjes Vetëvendosje në protestën e 1 shtatorit për demarkacionin.
Zyrtarë të këtij subjekti politik thonë se gjithë fokusi i tyre do të jetë rrëzimi i Marrëveshjes përmes votës. Edhe te Nisma për Kosovën thonë se ende skanë vendosur për mënyrën e kundërshtimit të demarkacionit në seancën e fillimshtatorit
Tri subjektet opozitare në vend, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma, nuk kanë qëndrim të njëjtë sa i përket mënyrës së kundërshtimit të Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, e cila pritet të ratifikohet në Kuvend më 1 shtator 2016.
Përderisa, Lëvizja Vetëvendosje thotë se nuk do të kursejë asnjë mjet demokratik si në Kuvend ashtu edhe jashtë tij për ta parandaluar ratifikimin e demarkacionit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se i gjithë fokusi i kësaj partie është që të parandalohet ky ratifikim përmes votës kundër, kështu duke shpresuar se as deputetët e koalicionit nuk do ta votojnë Marrëveshjen e 26 gushtit të vitit të kaluar.
Ndërsa Nisma për Kosovën thotë se do ta vazhdojë kundërshtimin, mirëpo ende nuk ka vendosur për mënyrën e kundërshtimit.
Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Zgjim Hyseni, ka thënë se ky subjekt politik tashmë ka filluar punën dhe angazhimin për protestën e 1 shtatorit, në mënyrë që ajo të jetë masive.
/Zëri/