AAK: MPB-ja është bërë Minsitri e Skandaleve
Prishtinë, 4 shkurt - Publikimi i lajmit për dëmtimin e buxhetit nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), në vlerë prej 113 mijë eurosh, është edhe një dëshmi për keqmenaxhimin e skajshëm të kësaj Ministrie tejet të rëndësishme për shtetin.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është e brengosur për nivelin e joseriozitetit në udhëheqjen e MPB-së, sikurse edhe gjithë Qeverisë së Kosovës.
AAK vlerëson se dëmtimi i buxhetit të Kosovës, në kohën kur varfëria ka arritur në shkallën më të lartë, është tregues i vërtetë i qeverisjes në Kosovë.
Departamenti për Sundim të Ligjit në kuadër të AAK-së vlerëson se MPB është kthyer në Ministri të Skandaleve, pasi që pothuajse në secilën javë publikohet një skandal i ri.
Përgjegjësinë për këtë situatë të keq-menaxhimit të MPB-së e mban Ministri Bajram Rexhepi, i cili me kohë ka dëshmuar nuk arrin të menaxhojë këtë Ministri.