AAK: Kosova, është vlerësuar se mbetet një vend transit për droga
Prishtinë, 4 mars - Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është shprehur e shqetësuar me nivelin e papërgjegjësisë institucionale të Kosovës në luftimin e drogave në vend.
Sipas kësaj partie, Qeveria e Kosovës është duke dështuar si mos më keq në parandalimin dhe largimin e kësaj të keqe nga qytetarët e Kosovës, edhe për shkak të korrupsionit të lartë.
Raporti i djeshëm i Departamentit Amerikan të Shtetit, ka vlerësuar AAK-ja, ka dhënë alarmin për nivelin e kalimin e drogës nëpër Kosovë, madje edhe pranimin e zyrtarëve kosovarë.
Është e vështirë të vlerësohet deri në çfarë mase ndikon korrupsioni në trafikimin e drogës në Kosovë. Ligjet e ndalojnë korrupsionin e ndërlidhur me drogat, por supozimet këmbëngulin se drogat kalojnë përgjatë kufijve të Kosovës, ndonjëherë me pranimin e zyrtarëve, është thënë ndër të tjera në raportin vjetor të DASH sa i përket Kosovës.
Kosova, edhe njëherë, është vlerësuar se mbetet një vend transit për kontabandimin e drogave drejt tregjeve tjera evropiane. Institucionet e Kosovës kanë konfiskuar më pak drogë gjatë vitit 2015 sesa gjatë vitit 2014, kur realisht nuk kishte as Qeveri të zgjedhur. Sipas raportit amerikan, autoritetet gjatë vitit 2015 kanë konfiskuar 146 kg marihuanë dhe 37 gramë kokainë, ndërsa në vitin 2014 kanë konfiskuar 627 kg marihuanë dhe 21 kg kokainë, është thënë në komunikatën e AAK-së.