AAK: Jo, paralelizmit etnik në ushtrinë e Kosovës
Prishtinë, 16 maj - Departamenti për Politika të Mbrojtjes dhe të Sigurisë i AAK së, vlerëson se ideja e lansuar që javëve në vijim do të diskutohet për krijimin e një "entiteti ushtarak" minoritar - paralel dhe njëetnik, përbrenda strukturës së ardhshme të Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK), ekskluzivisht për pakicën serbe, është i rrezikshëm, jofunksional, dezintegrues dhe jashtë çdo praktike standardizuese të strukturave të rregullta ushtarake të shteteve demokratike dhe të vetë NATO, që pretendohet të jetë FAK-u dhe antarësimi i saj në këtë organizatë.
Paralelizmi ushtarak që pritet të diskutohet në mes Prishtinës dhe Beogradit, në hierarki vertikale dhe horizontale me nivel komandues të veçantë dhe i ndarë nga struktura e unifikuar e komandimit ushtarak, ka tendencë të implikojë dhe të kontrollojë Ushtrinë e Kosovës nga prezenca paralele brenda FAK-ut nga Serbia, përmes infiltrimit të marrëveshjeve politike.
Mendimet se kjo është një fazë kalimtare e relaksimit të raporteve me Serbinë, nuk qëndron, për shkak të kompleksitetit strukturor dhe strategjik për sigurinë e Kosovës.
Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës, që çështjet vitale-nacionale, siç janë Punët e Brendshme Shtetrore; Ushtria; Inteligjenca; Tërësia e Sovranitetit, Rregullimi i Brendshëm Juridiko-Politik etj., të mos hyjnë asnjëherë në kuadër të bisedave me Serbinë. Njëherit, nuk duhet lejuar që, duke përfituar Serbia, këto të jenë kusht për normalizim të raporteve midis dy sheteve.
Qeveria vazhdimimisht po e neglizhon realizimin e bazës ligjore, që lejon krijimin e FAK-ut, rrjedhimisht të hapë rrugën legale, parlamentare dhe kushtetuese që Kosova më në fund të ketë arkitekturën e re ushtarake.
Kjo situatë e imponuar është skajshmërisht e papranueshme dhe duhet të ngjallë reagime të menjëherëshme, që Kosova ta ketë sa më parë ushtrinë profesionale dhe jopolitike, me një hierarki unike komanduese dhe jo ti mvishetasaj edhe një \"trup-komandë\" paralele nga Lista Serbe, e imponuar politikisht nga ndikimi i Beogradit në Kosovë.