A do ta stabilizojnë kapacitete e reja Shërbimin Korrektues të Kosovës?
Prishtinë, 2 shtator - Shërbimi Korrektues i Kosovës si një shërbim relativisht i ri dhe i pakonsoliduar sa duhet kohëve të fundit po përballet me disa probleme me të cilat përballen edhe shërbimet e ngjashme në të gjitha vendet në përgjithësi ndërsa shtetet e rajonit në veçanti.
Opinioni kosovar me shqetësim po i përcjell zhvillimet e fundit , ku , disa të dënuar gjatë vizitave humanitare kanë shfrytëzuar pakujdesinë e oficerëve që kanë qenë në përcjellje të tyre dhe kanë ikur duke shpërdorur një të drejtë që iu takon me LESP (vizita humanitare në raste të caktuara) apo duke mos u kthyer gjatë shfrytëzimit të fundjavës në familje dhe e cila konsiderohet si beneficion i fituar në bazë të sjelljeve në përputhje me programin e risocializimit.
Gjithashtu, ka raste kur të dënuarit largohen nga burgjet që janë të tipit të gjysmëhapur e që nënkupton se kanë liri më të madhe të lëvizjes dhe me largimin e tyre e keqpërdorin mundësinë që u është ofruar nga SHKK.
Realisht është e pamundur dhe shumë paragjykuese të vlerësohet se cili i paraburgosur apo i dënuar nuk do të kthehet pas pushimit të fundjavës apo kush do të largohet nga një ambient i gjysmëhapur dhe për këtë SHKK nuk mund të mbahet përgjegjës. SHKK mund të mbahet dhe është përgjegjës në rast se personeli përcjellës që e shoqëron një të burgosur në një vizitë humanitare, vizitë mjekësore apo në gjykatë ka mungesë të profesionalizmit dhe kujdesit të cilën të burgosurit e shfrytëzojnë për qëllime të tyre.
Këto ikje dhe largime me shumë i dëmtojnë vet interesat e të burgosurve se SHKK sepse një i dënuar që e keqpërdor mundësinë që i është ofruar kthehet në pikën zero dhe i duhet shumë kohë ta rikthejë besimin (nëse edhe arrinë) për përfitimin e beneficioneve sikur edhe të drejtat e tjera siç janë shkurtimi i dënimit (falja nga presidentja), ndërprerja e dënimit pas vendimit të Panelit për Lirim me Kusht apo format tjera siç janë zëvendësimi i dënimit me masa alternative. Këto ikje apo largime kanë si pasojë edhe hezitimin e SHKK të rrisë numrin e përfituesve të personave të privuar nga liria e që nga ana e monitoruesve të këtyre institucioneve konsiderohet si e papranueshme dhe mohim i të drejtave që u takojnë me Ligjin mbi Ekzekutimin e Sanksioneve Penale. KMDLNj është në mbrojtje të të drejtave të personave të privuar nga liria kur ato u mohohen sikur që mbron të drejtat e oficerëve që kujdesen për ta dhe stafit tjetër civil dhe menaxhues kur u janë shkelur të drejtat e tyre.
Këto gjëra që po ndodhin brenda SHKK ndodhin edhe në vendet e rajonit ku numri i atyre që ikin apo largohen është më i madh nëse krahasohet me numrin e të burgosurve për kokë banori.
Për KMDLNj është shqetësues mostrajtimi i barabartë i të burgosurve apo trajtimi i tyre në përputhje me statusin që e kanë pasur në shoqëri para se të burgosen. Kemi të bëjmë me diskriminim flagrant ku të fuqishmit janë të privilegjuar ndërsa ata pa krahë (edhe nëse sillen mirë) shumë me vështirësi i realizojnë të drejtat e tyre apo nuk i realizojnë fare.
Futja e telefonave celularë, mjeteve narkotike dhe mjeteve të tjera të ndaluara kryesisht bëhet nga ana brenda (stafi) në bashkëpunim me jashtë dhe në shumë pak raste nga familjarët.
SHKK duhet të jetë transparente, jo vetëm për organizatat që e monitorojnë (është shumë transparent) po edhe për aktorët e tjerë siç janë mediat, studentët që janë familjarizuar me çështjen e personave të privuar nga liria dhe duhet të ketë konferenca të rregullta për media ku i paraqesin realisht problemet, dështimet, sfidat dhe sukseset. KMDLNj mendon se drejtori i SHKK së paku një herë në muaj duhet të ketë takime me të burgosurit ku do ti dëgjojë shqetësimet e tyre si dhe rekomandimet e jo që komunikimin ta bëjë përmes oficerëve shkaku se zingjiri i komunikimit ndërpritet shumë herë. Ndoshta , një herë në tre muaj drejtori i SHKK me bashkëpunëtorë do të ishte mirë të takohet me familjarët e personave të privuar nga liria sepse kjo do të ndikojë edhe te të burgosurit si dhe te familjarët.
SHKK duhet të jetë më i vendosur në mbrojtje të interesave të personave të dënuar para Panelit për Lirim me Kusht si dhe në institucionet e tjera ku mund të përfitojnë të burgosurit.
SHKK duhet të kërkojë që masat alternative të dënimit të zbatohen në masë më të madhe sikur që duhet të jetë më transparent për punën e Panelit të brendshëm kur ndahen beneficionet, ku bëhet kategorizimi i të dënuarve apo kur bëhet transferimi nga një burg i mbyllur në burg më të avancuar.
SHKK duhet të insistojë që brenda këtij shërbimi të hapet një njësi spitalore sikur në vendet e tjera ku të burgosurit do të kishin kushte më të mira për trajtim mjekësorë dhe me këtë do të zvogëlohej nevoja për dërgimin e të burgosurve në qendrat e tjera spitalore.
SHKK duhet të alarmojë në raste kur personat e paraburgosur mbahen në paraburgim tej afateve të përcaktuara me ligj ndryshe do të bëhen shkelës të drejtave të këtyre personave.
SHKK duhet të veprojë si një tërësi duke mos i ndarë të paraburgosurit apo të dënuarit në baza etnike siç ka vepruar deri më tani.
SHKK duhet ti rrisë kapacitetet për punë për personat e privuar nga liria (ka shumë mundësi) në mënyrë që të dënuarit përveç përfitimeve materiale të kenë mundësi për përfitime të beneficioneve tjera. Në fund të fundit, çdo i dënuar kërkon të punojë dhe puna është mjeti më i mirë dhe më efikas për risocializimin e tyre.
KMDLNj propozon që të legalizohen telefonat celularë që do të mbaheshin nën mbikëqyrje dhe në këtë mënyrë do të zvogëlohej kontrabandimi i tyre.
KMDLNj propozon të rriten aktivitet kulturore për personat e privuar nga liria sikur edhe të pasurohet fondi i bibliotekave që është i varfër dhe me tituj të vjetruar.
KMDLNj propozon që stafi korrektues të trajtohet në mënyrë më të dinjitetshme duke ua krijuar kushtet për punë të cilat nuk i kanë në shumë raste.
Pikë jashtëzakonisht e ndjeshme e SHKK është fusha e tenderëve gjatë rinovimeve të objekteve (në disa raste gjendja bëhet më e keqe se para rinovimit), furnizimit me artikuj ushqimorë dhe higjienike (ka mungesë të tyre për një kohë deri sa të ndahet tenderi) dhe për këtë nevojitet transparencë shumë më e madhe.
Pengesë tjetër në punën e SHKK është rivaliteti joparimor ku , për shkak të ambicieve personale krijohet një raport konfrontues dhe jobashkëpunues midis atyre që janë përgjegjës për mbarëvajtjen e punës në SHKK. Për këtë arsye duhet të rivlerësohet kapaciteti profesional, moral dhe menaxherial i atyre ku po paraqiten probleme në funksionimin e këtyre institucioneve.
Me rritjen e kapaciteteve fizike (Qendra e re e paraburgimit në Hajvali) dhe Qendrat e paraburgimit në Gjilan me afërsisht 750-780 mundësi akomodimi, SHKK do të ketë më lehtë për faktin se do të eliminohet mbipopullimi që është dukuri e theksuar që nga përfundimi i luftës. Në këtë rast mund të mendohet që Qendra Korrektuese për të Mitur dhe Femra në Lipjan të shndërrohet në një qendër vetëm për femra apo vetëm për të mitur ndërsa Qendra e vjetër e paraburgimit në Lipjan do të mund të shndërrohet në një njësi spitalore, ku do të qëndronin ata që kanë nevojë për trajtim mjekësor, personat e moshuar, persona me nevoja të veçanta dhe personat që do ta shfrytëzonin pushimin vjetor e që janë pa familje. Në Lipjan do të ishte vendosur edhe njësia e veçantë policore , përgjegjëse për përcjelljen e personave të privuar nga liria.
SHKK , për të funksionuar në mënyrë më efikase ka nevojë që urgjentisht ta bëjë decentralizimin organizativ dhe material.
Përkundër të gjitha problemeve, pengesave dhe sfidave me të cilat përballet SHKK, krahasuar me vendet e rajonit ky shërbim nuk qëndron më keq dhe në disa raste (trajtimin fizik të personave të privuar nga liria) është para vendeve të rajonit.
Ministria e Drejtësisë duhet ti paraprijë përpjekjeve për parandalimin e këtyre dukurive negative e jo të merret me pasojat përmes politikave që e afirmojnë dhe vlerësojnë profesionalizimin , gjë që nuk e ka bërë krejtësisht deri më tani.
KMDLNj do të vazhdojë monitorimin e qendrave të ndalimit, qendrave të paraburgimit dhe atyre korrektuese duke falënderuar për bashkëpunimin jashtëzakonisht korrekt të SHKK, Policisë së Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë për Punë të Brendshme si dhe për përkrahje financiare Fondacionin e Kosovës për Shoqëri të Hapur dhe Telekomin e Kosovës.