55 vjet burgim për trafikantët e viktimave të Tisës
Beograd, 15 prill - Kolegji Penal i Dhomës së veçantë të Gjykatës së Lartë të Beogradit ka shpallur dënimin prej 55 vjet e dy muaj burgim për nëntë pjesëtarë të grupit të organizuar kriminal, që ishte marrë me trafikimin ilegal të migrantëve shqiptarë nga Kosova për në Hungari përmes lumit Tisa.
Gjatë kalimit ilegal nëpër këtë lumë, më 14 tetor të vitit 2009 u mbytën në Tisë 15 sish, kryesisht gra e fëmijë.
Josip Gjurasheviq, i cilësuar si organizator i grupit, u dënua me 10 vjet burgim, ndërsa si anëtarë të grupit u dënuan: Goran Maraviq me 7 vjet, Ridvan Destani me 6 vjet e 8 muaj, dhe Dejan Bezeg me 6 vjet burgim.
Atil Shiposhit iu shqiptua dënimi prej 3 vjet e gjysmë, Jovanka Koledinit 3 vjet, Abedin Isenit 4 vjet e 4 muaj, Ardin Isenit 4 vjet e 8 muaj dhe Sabehudin Arifit 10 vjet burgim.
Joso Karimoviq u lirua.