32 mijë kosovarë hoqën dorë nga shtetësia
Prishtinë, 1 shtator - Për 5 vjet Kosova ka humbur 32 mijë qytetarë, të cilët kanë zgjedhur tjetër nënshtetësi. Derisa ata thonë se këtë po e bëjnë për familjen e tyre, analistët e vlerësojnë këtë situatë si “tragjedi kombëtare”.
Heqja dorë nga shtetësia e Kosovës ka shënuar shifra alarmante në pesë vjetët e fundit. Mbi 32 mijë qytetarë të Kosovës kanë hequr dorë nga nënshtetësia kosovare vetëm nga viti 2009 për të zgjedhur një nga shtetet nga Bashkimi Evropian që nuk e lejon dyshtetësinë. Kampion në “zbrazjen” e Kosovës është Gjermania. Me këtë ritëm të heqjes dorë nga nënshtetësia brenda 10 vjetëve Kosova do të ketë 100 mijë banorë më pak.
Protagonistët e këtyre veprimeve thonë se edhe pse me “zemër të thyer”, këtë po e bëjnë për perspektivën e fëmijëve dhe familjeve të tyre. Ndërkohë që analistët e vlerësojnë se kjo situatë është baras me tragjedi kombëtare. /Zeri