06 Maj 2024

308 persona të lënduar nga mjetet piroteknike

Albulena S. MAVRAJ

Prishtinë, 4 janar - Përdorimi i mjeteve piroteknike është bërë dukuri e zakonshme në natën e ndërrimit të moteve, mirë po kjo dukuri ka lënë pas vetes 308 persona të lënduar me rastin e festimit të Vitit të Ri 2014.

Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Basri Lenjani, ka deklaruar se gjatë natës së ndërrimit të moteve në QKUK kanë kërkuar ndihmë 308 persona, të cilët kanë marrë lëndime nga përdorimi i mjeteve piroteknike. Sipas tij, shtatë persona kanë marrë lëndime nga plumbat qorr.

 

“Gjatë natës së Vitit të Ri kanë kërkuar ndihmë në QKUK 308 persona. Prej tyre kemi 13 lëndime në natën e parë, kurse 6 prej tyre ishin me lëndime sipërfaqësore të cilët, pas trajtimit mjekësor, janë liruar në shtëpi. Ndërsa 7 të tjerë janë pranuar për trajtim të mëtutjeshëm në njësitë organizative të QKUK-së”, ka thënë Lejani.

 

“Shtatë persona janë pranuar në QKUK si pasojë e plagëve të marrë nga plumbat qorr dhe janë në trajtim të mëtutjeshëm. Kurse 3 nga shtatë të hospitalizuarit janë sistemuar në kirurgji torakale. Një i sistemuar është në ortopedi dhe një në mjekim intensiv”, ka shtuar ai. 


Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Basri Lenjani, ka bërë me dije se në mesin e qyteteve, ku ka pasur më së shumti të lënduar, dominojnë Prishtina, Ferizaj, Podujeva, Shtimja dhe Drenasi.
Ndërsa Policia e Kosovës nëpërmjet një komunikate për medie ka deklaruar se gjatë natës së ndërrimit të viteve (2013/2014) situata kryesisht ka qenë e qetë në gjithë territorin e Kosovës, me përjashtim të disa incidenteve të raportuara në Policinë e Kosovës.

Sipas kësaj komunikate, incidentet e raportuara janë kryesisht lëndime trupore si pasojë e përdorimit joadekuat të mjeteve piroteknike dhe armëve të zjarrit.

 

“Në përgjithësi në Policinë e Kosovës gjatë natës së festës së Vitit të Ri është raportuar për 13 persona të lënduar nga përdorimi joadekuat i mjeteve piroteknike si dhe nga plumbat qorr (nga ajri) të armëve të zjarrit”, është thënë në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës ka raportuar edhe për gjashtë raste të dëmtimit të pronës.

 

“Janë raportuar edhe 6 raste të dëmtimit të pronës, prej tyre katër raste të incidenteve të zjarrit dhe dy raste të dëmtimit të pronës si pasojë e përdorimit joadekuat të mjeteve piroteknike dhe armëve të zjarrit”, është thënë në komunikatën e Policisë së Kosovës.

 

Kurse zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka deklaruar se gjatë vitit 2013 janë importuar rreth 2.2 milionë kg mjete piroteknike dhe fishekzjarrë, që kapin shumën mbi 3 milionë euro. Sipas tij, mjetet piroteknike kryesisht janë importuar nga Kina, Bullgaria, Gjermania dhe Turqia. Stavileci ka thënë se vitet e fundit në mesin e mjeteve më të kërkuara piroteknike janë fishekzjarrët.

 

“Vitet e fundit është në trend rritja e importit të fishekzjarrëve, pastaj ka edhe sasi të importit të kapsollave ndezëse apo shpërthyese”, ka treguar Stavileci.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)