261 zyrtarë nuk e kanë deklaruar pasurinë
Prishtinë, 18 maj - AKK ka filluar dërgimin në gjykatë të gjithë zyrtarëve që nuk e kanë deklaruar pasurinë këtë vit. Kreu i Agjencisë Hasan Preteni i ka thënë se tashmë kanë bërë gati 50 përqind të materialeve, të cilat do tu dërgohen organeve gjyqësore.
Agjencia Kundër Korrupsionit ka filluar dërgimin në gjykatë të të gjithë zyrtarëve që nuk e kanë deklaruar pasurinë këtë vit. Kreu i Agjencisë Hasan Preteni i ka thënë Radio Kosovës se tashmë kanë bërë gati 50 përqind të materialeve, të cilat do tu dërgohen organeve gjyqësore. Këtë vit janë 261 zyrtarë që nuk e kanë deklaruar pasurinë.
Akoma pa përmbyllur as gjysmën e rasteve të vjetra të personave që nuk kanë deklaruar pasurinë, në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje dërgohen lëndë të reja.
Pasi kanë kaluar afatet ligjore për dorëzimin e formularëve të pasurisë, organi antikorrupsion ka nisur në gjykatë paditë për gjithë ata që nuk i janë përgjigjur obligimit për deklarim pasurie.
Kreu i Agjencisë Hasan Preteni, ka thënë se askush nuk do të përjashtohet nga ballafaqimi me drejtësinë.
Ne jemi në procedurë të dërgimit të të gjitha rasteve. Tashmë shumica e lëndëve janë bërë gati, ka thënë Preteni për Radio Kosovën.
Kreu i Gjykatës Komunale për Kundërvajtje, Mustafë Selimi, nuk ka folur për vendimet e kësaj gjykate, e cila shpesh për personat në të njëjtat pozita ka dhënë vendime në shpërputhje të mëdha. Por, ai ka folur për efektin e tyre.
Deri më tani nuk kemi shifra të plota të të gjitha rasteve . Sa për vendimet gjyqtarët kanë qenë të pavarur në dënimet e tyre. Por, mendoj se kanë pasur efekt sepse zyrtarët që janë dënuar nuk i kanë përsëritur më veprimet, ka thënë Selimi.
Reale apo të buta, dënimet me të holla që ka dhënë gjykata nuk janë ankimuar asnjëherë nga Agjencia Kundër Korrupsionit. Kjo është konfirmuar nga kryetarja e Gjykatës së Lartë për Kundërvajtje ,Biliana Rexhiq.
Aktualisht, sipas numrit të rasteve që nuk kanë deklaruar pasurinë në Gjykatë janë mbi 300 lëndë të pakryera. Ndërkohë, 75 janë kryer deri më tani.
Deri më tani mosdeklarimi i pasurisë, me ligj, konsiderohej si kundërvajtje për të cilat ekzistonte dënimi prej 1000 deri në 2500 euro. Tani, me ndryshimet në Kodin Penal mos deklarimi i pasurisë është vepër penale për të cilin zyrtari mund të dënohet prej 1 deri në 3 burgim.(rtk)