16 anëtarë të politikave të NATO-së vizituan KFOR-in
Prishtinë, 14 prill - 16 anëtarë të Grupit Koordinues të Politikave të NATO-s (PCG) nga 13 vende të ndryshme që shërbejnë në KFOR kanë vizituar shtabin qendror të KFOR-it, Battle Grupet Shumëkombëshe dhe Kosovën. Qëllimi i vizitës ishte për të parë zhvillimet në Kosovë në terren.
Fillimisht pjesëmarrësit janë informuar nga komandanti i KFOR-it, Gjeneral Lejtnant Markus Bentler. KOMKFOR-i i ka informuar ata për përmirësimin e situatës së sigurisë dhe situatës politike në Kosovë.
Si rezultat i këtij përmirësimi, KFOR-i e ka përshtatur strukturën e tij dhe ka arritur numrin prej 10 mijë trupash. Gjatë takimit KOMKFOR-i ka deklaruar se situate politike është më sfiduese sesa ajo ushtarake. Megjithatë, pavarësisht përshtatjes së trupave, nuk do të ketë ndryshime në misionin e KFOR-it. KFOR-i do të vazhdojë ta rrisë partneritetin me faktorin ndërkombëtar dhe institucionet në Kosovë.
Janë diskutuar edhe tema tjera substanciale lidhur me të ardhmen e KFOR-it. Ata gjithashtu kanë marrë vlerësime mbi situatën nga i dërguari special i Sekretarit të Përgjithshëm, Ambasadori Lamberto Zannier, kreu i misionit të EULEX-it, Yves de Kermabon dhe nga zëvendës shefi i misionit të Zyrës Civile Ndërkombëtare, Flechter Burton.
Më pas grupi është transportuar me helikopterë nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës, përfshirë Mitrovicën dhe Qendrën e Trajnimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ferizaj. Gjatë vizitës zyrtarët kanë theksuar se KFOR-i do të vazhdojë ta ruajë ambientin e qetë dhe të sigurt si dhe lirinë e lëvizjes.
PCG-ja është grup i përbërë nga këshilltarë të rangut të lartë nga vendet që shërbejnë në KFOR. Ata japin udhëzime dhe këshilla për Këshillin Ushtarak të NATO-s si dhe për Këshillin Veri-Atlantik, në mënyrë që ta formësojnë strategjinë dhe politikën e sigurisë. PCG-ja është përgjegjës që të rekomandojë tek autoritetet politike të NATO-së për ato masa që konsiderohen të domosdoshme për mbrojtje të zakonshme të zonës së NATO-s dhe për implementimin e vendimeve në lidhje me operacionet dhe misionet e NATO-s.