05 Maj 2024

15 vjet nga masakra e Burgut të Dubravës

Prishtinë, 19 maj -  Sot mbushen 15 vjet nga masakra e forcave serbe në Burgun e Dubravës. Nga rreth 1 mijë të burgosur të cilët ishin në rreshtin e parë janë gjuajtur për vrasje me bomba e armë dhe mbi 150 të burgosur shqiptarë janë vrarë, ndërsa mbi 300 të tjerë janë plagosur. 15 vjet pas, ende nuk është dënuar askush për këtë masakër.

Ishte vetëm 24 vjeç, kur 15 vjet më parë përjetoi tmerrin në burgun e Dubravës. Sadik Zeqiri, ish i burgosur, i cili i mbijetoi masakrës në burgun e Dubravës, pranon se kanë nevojë për trajtim mjekësor, si të gjithë ata që përjetuan të tilla ngjarje.


Ai i ka ftuar prokurorët vendorë dhe ata ndërkombëtarë të merren me këtë çështje, por këshillon që kjo të mos i lihet në dorë Serbisë.

“Së pari na kanë bartur nga burgjet e tjera. Unë kam qenë në burgun e Pejës. Na kanë dërguar më 15 mars 1999 për në burgun e Dubravës. Aty na kanë mbledhur gjithë të burgosurit. Kemi menduar - pasi e dinim se është duke u biseduar për ndërprerjen e luftës, pasi aty po na bashkonin të gjithëve bashkë, se do të na lirojnë që të shkojmë nëpër shtëpitë tona. Por, ndodhi e kundërta”, ka thënë Zeqiri.

Ai ka treguar se nga data 19 maj deri më 24 maj kanë përjetuar atë që nuk ka ndodhur askund në botë.

“Kemi përjetuar masakra që vetëm Serbia ka mundur t’i llogarisë dhe t’i bëjë. Fillimisht jemi bombarduar nga aleatët tanë, nga NATO, të cilët kanë rënë në kurthe të informacioneve nga Serbia. Ata kanë bombarduar pavijonin C1 ku kam qenë i stacionuar unë me shumë shokë të tjerë. Është bombarduar edhe rrethi i burgut, duke menduar se aty ka paramilitarë dhe militarë serbë”, ka vazhduar rrëfimin Zeqiri.

Ishte vetëm 24 vjeç në atë kohë, por kishte parë e përjetuar gjëra të tmerrshme dhe vështirë të përballueshme. Thotë se si pasojë e kësaj, tre të burgosur në atë kohë kishin bërë vetëvrasje, ngase nuk kanë mundur t’i durojnë torturat.

“Unë atëherë veç i kisha mbushur 24 vjet, sepse më 15 maj e kam pasur ditëlindjen. Jam burgosur si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nuk kam qenë i dënuar. Jam dënuar më vonë me dy vjet burgim. Ne kemi parë njerëz të burgosur, shokët tanë, bashkëluftëtarët tanë me kokë të këputura, me këmbë të këputura, me gjoks të hapur, me gjymtyrë të këputura, të gjuajtura, koka te këmbët... kemi parë gjëra që ka qenë vështirë për t’i përballuar”, ka shtuar Zeqiri.

Ai e kujton se si me të burgosurit e tjerë kanë dëgjuar nga telefonat e gardianëve se deri në atë kohë të burgosurit ishin në duar të paramilitarëve, ndërsa nga ajo ditë kompetencat për ta kanë kaluar te Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

“Ka qenë punë e organizuar e dy ministrive, edhe e Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë. Le të merren deklaratat dhe informacionet prej të burgosurve e të punohet në atë drejtim që me këtë çështje të mos merret Prokuroria Speciale e Serbisë. Krimet janë bërë në Kosovë, nuk janë bërë në Serbi.

Me këtë le të merren Prokuroria e Kosovës, shteti i Kosovës, bashkësia ndërkombëtare, që të gjithë ata gardianë, të burgosur serbë, paramilitarë serbë... që të japin llogari për masakrën që e kanë bërë në burgun e Dubravës”, ka thënë Zeqiri, duke shtuar se kurrë nuk do t’i harrojë ish-të burgosurit shqiptarë në Dubravë, të gjallët dhe ata që janë vrarë. (Kosovapress)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)