22 Prill 2025

Zyberaj ngushëllon familjen e aktorit Myftari

Prishtinë, 30 qershor - Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Bedri Zyberaj, me rastin e ndërrimit jetë të aktorit të mirënjohur kosovar Hazir Myftari, familjes së të ndjerit dhe komuniteti artistik u ka shprehur ngushëllime.

Në telegramin e ngushëllimit përcjellë familjes Myftari, z. Zyberaj shpreh dhembje për ndarjen e hershme nga jeta të aktorit Hazir Myftari, duke e kujtuar atë për rolet në shumë shfaqje teatrore, për shumë role në filma të metrazhit të gjatë, të mesëm, të shkurtë e për shumë role në seriale televizive. Më poshtë gjeni telegramin e ngushëllimit të Zyberajt dërguar familjes Myftari.

E nderuar familje Myftari,

Me dhembje të madhe morëm lajmin që aktori ynë i preferuar, burri, babai, xhaxhai, daja, më i dashuri i juaj dhe i yni, Hazir Myftari, ka ndërruar jetë.
Ju do ta mbani mend e do ta kujtoni gjithherë, se nga shtëpia e nga shpirti juaj sot do të largohet pjesa më e rëndësishme, por edhe ne do ta kujtojmë gjithherë për rolet që ai i luajti gjatë karrierës së tij qoftë në: rolin e Specialistit shqiptar te Gjenerali i ushtrisë së vdekur, për rolin e XX-it në shfaqjen Emigrantët, për rolin e Mic Sokolit në shfaqjen Besa e Madhe.

Për rolin e Vronskit te Ana Karenina, për rolin e Klaudit tek Hamleti, për rolin e Gjon Nikollë Kazazit në shfaqjen Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit, për rolin e Atit të Madh në Bregun e Pikëllimit, për rolin e Oso Kukës, për rolin e Fantazmës te Hamleti, për rolin e Madhërisë te Shfaqja e fundit, për rolin e Klerikut te Beselam, pse më flijojnë?., të cilat role do të jenë përherë të freskëta në kujtesën tonë për formën dhe mënyrën e skalitjes nga ana e aktorit dhe artistit Hazir Myftari.

Po ashtu, do ta mbajmë mend edhe për një numër rolesh që ai i luajti me shumë përkushtim në filma artistikë. Për më shumë, vdekja e tij na godit edhe për faktin se ai ishte bashkëshorti i ish-koleges sonë të punës, me të cilën kemi ndarë një pjesë të dhimbshme të historisë sonë të re.

I ndjeri, z. Myftari, ka qenë aktor i kalibrit të madh, me rolet e përfaqësimin kulturor të të cilit do të krenohemi sa herë që merren në gojë teatri, filmi, serialet shqipe qoftë në trojet shqiptare, qoftë edhe kur përfaqësojmë kulturën tonë jashtë vendit.

Prandaj, në veçanti e nderuara Zonja Violeta Myftari, më lejoni që në emër të punonjësve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe të ish-kolegëve tuaj, t’ju shpreh ngushëllime të sinqerta për vdekjen e hershme të burrit tuaj, z. Hazir Myftari, njëherësh aktorit tonë të dashur, i cili do të na mungojë në teatër, në film, në televizion, në takime të rastit.
Ndajmë me juve dhembjen për më të dashurin tuaj!
NGUSHËLLIME!

Me përulësi për aktorin Hazir Myftari!

Bedri Zyberaj - Drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”
Prishtinë, 30 qershor 2014
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)