U hap ekspozita Amerika për Kosovën

Mitrovicë, 4 korrik - Drejtues të Komunës së Mitrovicës, përfaqësues të institucioneve kulturore dhe dashamirës të artit kanë marrë pjesë të enjten në hapjen e ekspozitës Amerika për Kosovën në qendrën e kulturës Rexhep Mitrovica.
Ekspozita e autorit, Riza Sadiku, është hapur me rastin e shënimit të 237 vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kryetari i komunës, Avni Kastrati, i cili ishte i pranishëm në hapje të ekspozitës, ka falënderuar autorin dhe të gjithë ata që kanë organizuar këtë ngjarje si shenjë falënderimi për kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështjen shqiptare.
Jemi të nderuar që kemi mundësinë të bëjmë sadopak për të falënderuar administratën amerikane dhe mërgatën shqiptare për mbështetjen e vazhdueshme.
Ndërsa, autori i ekspozitës, Riza Sadiku, tha se Republika e Kosovës, respektivisht Komuna e Mitrovicës po jep një kontribut modest në shënimin e pavarësisë së SHBA-së, duke organizuar ekspozitën tematike Amerika për Kosovën.
Përmes saj dëshirojmë në mënyrën më modeste të falënderojmë mërgatën shqiptare të Amerikës dhe administratën amerikane për kontributin e tyre të dhënë për afër një shekull për afirmimin dhe zgjidhjen e çështjes shqiptare.
Në hollin e qendrës së kulturës ku është hapur ekspozita, pos fotografive të presidentëve të SHBA-së, ishin ekspozuar edhe rrobat ushtarake të gjeneralit, Wesli Klark, në kohën e bombardimeve të NATO-së, mandej kapela e ish-sekretares së shtetit, Madeline Albright etj.
Ekspozita është organizuar nga Muzeu i Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Mitrovicës dhe Qendrën rajonale për trashëgimi.